Prokuroria e Përgjithshme ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me rastin e gjyqtares Irena Gjoka, duke konfirmuar se vendimi i autoriteteve greke për dënimin e saj është autentik. Ky përfundim ka ardhur pas një hetimi të thelluar të kryer nga Sektori i Dekriminalizimit.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimi është kryer mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), dhe ka pasur si objekt deklarimet e bëra nga Irena Gjoka në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22.04.2016.
Pas verifikimeve të kryera brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria e Përgjithshme ka miratuar më 19.01.2026 rezultatet përfundimtare të hetimit, duke konstatuar se vendimi penal i autoriteteve greke ndaj gjyqtares është i vërtetë dhe i dokumentuar.
Prokuroria sqaron se kompetenca për marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me shkarkimin ose jo të Irena Gjokës nga detyra i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor, në zbatim të ligjit për dekriminalizimin dhe rregullave për garantimin e integritetit të funksionarëve publikë.
Rasti i gjyqtares Gjoka ka qenë prej kohësh objekt debatesh dhe denoncimesh publike, ndërsa vendimi i fundit i Prokurorisë pritet të hapë një kapitull të ri në shqyrtimin institucional të çështjes nga organet përkatëse.








