Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

0

Ditën e sotme, 8 tetor 2025 është afati i fundit i aplikimeve për kreun e ri të SPAK-ut.

Prokurori i Strukturës së Posaçme Elvin Gogaj aplikoi dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa sot pritet që të dorëzojnë aplikimet edhe prokurorët Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.

Kandidatët që synojnë të drejtojnë SPAK-un, pas 18 dhjetorit (kur mandati i Altin Dumanit përfundon), kanë kohë për aplikime edhe ditën e sotme.

Zgjedhja e drejtuesit të SPAK-ut mbështetet në disa kritere kyçe si: përvoja në trajtimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, aftësitë për të drejtuar, një plan të qartë dhe të besueshëm për funksionimin e institucionit, si dhe reputacioni profesional gjatë karrierës.

Pasi mbyllet afati për paraqitjen e kandidaturave, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka një afat prej jo më shumë se 10 ditë për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet. Më pas, ai i paraqet listën për miratim në mbledhjen plenare.

Votimi për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme është i hapur dhe bëhet nominalisht, pra me emër. Fiton kandidati që merr më shumë vota sesa të tjerët.

CV e 5 kandidatëve që kandidojnë për kreun e SPAK

-Doloreza Musabelliu

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Doloreza Musabelliu, mban një peshë të kunsiderueshme të çështjeve penale që janë të natyrës së Krimit të Organizuar në SPAK.

Si prokurore e SPAK ajo hetoi dhe çoi në gjyq dosjen e klanit “Çopja” në Elbasan.

Për të vijuar me dosjen penale dhe mjaft voluminoze të “Plumbit të Artë”, ku përveç hetimit tashmë kjo prokurore po përballon thuajse e vetme dhe fazën e komplikuar të gjykimit të mbi 13 të pandehurve, mes të cilëve Nuredin Dumani, Erjon Alibej, Skerdi Tasi, e shumë të tjerë.

Doloreza Musabelliu, 44 vjeç, është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga Magjistratet e diplomuara shkëlqyeshëm dhe për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë prokurore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Sapo mori detyrën e prokurores, mes viteve 2006 deri në 2007, Doloreza Musabelliu, ka drejtuar një nga operacionet më të bujshme të kohës së Krimeve të Rënda, duke arrestuar në atë periudhë anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit, Artan Shabanin, Selfo Drizën, Ermal Gogun, Erges Ymerin, Ervin Ferhatin dhe vetë Shullazin.

Emra këta që deri në atë kohë konsideroheshin të paprekshëm, por që falë hetimeve u dënuam me masa dënimi më shumë se 7 vjet burgim për  akuzë e trafikut të heroinës dhe mbajtje pa lejë të armëve.

Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen “Toyota Yaris” me miliona euro të konfiskuara dhe kaluara buxhetit të shtetit.

Së fundmi Musabelliu është prokurorja që sipas dëshmisë së Artan Tafanit është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për tu eleminuar, pasi shkak ka qenë hetimi i saj për masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.

Ky është rasti i parë në 6 vite të ekzistencës së SPAK që një grup Kriminal, angazhohet për të eleminuar një prokurore. Rasti i cili më pas, solli ndryshimin e rregjimit të sigurisë, ku SPAK dhe prokurorët veç efektivëve të repartit policor “RESI” u rrethuan nga efektivët e Gardës së Republikës.

-Klodian Braho

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Klodian Braho kandidati tjetër me origjinë nga Skrapari pas ardhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK, u emërua shef i seksionit kundër korrupsionit në këtë prokurori.

Braho, karrierën e nisi në prokurorinë e Beratit, më pas në Vlorë dhe mandej me vendim të kryeprokurorit të asaj kohe, Adriatik Llalla, Braho u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke qëndruar e punuar pranë seksionit kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Mirëpo “nderin” që ja bëri Llalla duke e transferuar nga Vlora në Tiranë, Braho, në SPAK ja shpërbleu me një përndjekje disa vjeçare, me një dënim të formës së prerë me dy vite burgim dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.

Për shkak të kësaj përndjekje, ish-kryeprokurori Llalla mori rrugët e emigrimit në Itali, duke fituar tashmë dhe statusin e azilantit politik. Ndërsa Klodi, ka dërguar një letërporosi në Itali me qëllim ekstradimin e Llallës në Shqipëri.

Klodian Braho, është një nga prokurorët që së bashku me mikun e tij të vjetër, Aurel Zarka, kanë hetuar dhe gjykuar kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, dosje e cila çoi në rrëzimin nga “froni” i Gjikës.

Por dy miqtë e vjetër që dikur në prokurorinë e Vlorës konsideroheshin, si dy “yjet” në ngritje, sot po jetojnë dy botë të ndryshme nga njëri-tjetri.

Kjo pasi në 24 Korrik 2024, njëri nga miqtë Klodian Braho, firmosi për arrestimin e mikut tjetër, Aurel Zarka, teksa ky i fundit ishte në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës.

Dy shokët që dikur ndanin bashkë bankën e akuzës, dosjet i bënin bashkë, pretencën e bënin bashkë, kafet i ndanin bashkë, pushimet i bënin bashkë, prej korrikut 2024 u ndanë në dy botë të ndryshme.

Ku aktualisht, njëri Aurel Zarka ndodhet i izoluar në paraburgimin e Durrësit, ndërsa tjetri Klodian Braho, ka hedhur kandidaturën dhe shpreson fort për të qënë kreu i ardhshëm i prokurorisë së posaçme SPAK.

Ka shumë gjasa që mes sukseseve në CV-në e tij paraqitur anëtarëve të KLP-së, Klodian Braho, të ketë radhitur dhe këtë dosje penale si sukses ndaj goditjes së korrupsionit në Drejtësi.

-Elvin Gokaj

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Kandidati tjetër që synon të marë postin e drejtimit të SPAK është prokurori Elvin Gokaj. Ky kandidat ndryshe nga të tjerët, në thuajse gjithë karrierën e tij, ka shërbyer për vite me rradhë si drejtues të prokurorive në rrethet Fier, Elbasan, Kurbin, Prokurori Apeli Shkodër dhe Prokurori Apeli Durrës.

Pesë prokurori të drejtuara në vite të ndryshme dhe periudha tepër të vështira. Plus ka shërbyer dhe si zv/drejtues në prokurorinë e Sarandës. Një CV-i mjaft e përsosur për të treguar një eksperiencë lidershipi.

Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Vetingut (shkalla e parë), pezulloi një vit nga detyra prokurorin Elvin Gokaj, me kushtin e ndjekjes së trajnimit të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ky ishte vendimi i parë në zbatim të nenit Ë të Kushtetutës që parashikon masë disiplinore për kriterin e aftësive profesionale. Ndërkaq, Komisioneri Publik i kërkoi KPA shkarkimin e Gokajt nga detyra për një balancë negative prej 6 mijë eurosh.

Në nëntor të vitit 2020, Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi të rikthejë në detyrë prokurorin Elvin Gokajn, duke rrëzuar si Komisionerin Publik, ashtu edhe Komisionin e “Vetingut”.

Sipas KPA-së, Elvin Gokaj ishte i aftë profesionalisht, jo i korruptueshëm, pasuria e tij ishtë në përputhje me ligjin, ndërsa pastërtia e figurës së prokurorit nuk u vu asnjëherë në dyshim.

Në dhjetor të vitit 2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi Elvin Gokajn prokuror në SPAK.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën si prokuror në Burrel, ku ka hetuar dhe kopsitur disa dosje të rënda dhe të rëndësishme të viteve 1997-1998, periudhë kjo kur Burreli, ziente nga seritë e vrasjeve për shkak të hasmërisë mes dy bandave farefisnore “Dedja” dhe “Kola”.

Në atë periudhë të përgjakshme, prokurorit Gokaj dhe gjithë prokurorëve që ushtronin detyrën në Burrel, i duhej të qëndronin në zyrë me automatikë kallashnikovi, pasi bandat në Burrel kishin marrë edhe komisariatin.

Edhe pse situata ka qënë në kufijtë e dramatikes për të bërë detyrën shtetërore, sot shumë dosje hetimore dhe dënimi i anëtarëve të këtyre bandave, mbajnë firmën e Elvin Gokajt dhe dy prokurorëve të tjerë që vepronin në atë periudhë në Burrel.

-Adnan Xholi

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Statura tjetër e kandidatit të katërt për të qënë kreu i SPAK, është pikërisht ajo e Adnand Xholit, aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të SPAK dhe shef i seksionit të krimit të organizuar.

Xholi, konsiderohet si një nga prokurorët që ka konsensusin e brendshëm të shumicës së prokurorëve të SPAK, për të qënë në krye të institucionit.

Kjo është gara e dytë që ai zhvillon në KLP për të marë postin e drejtuesit të SPAK, pasi në garën e parë ai rezultoi humbës përballë kandidaturës së Altin Dumanit që u mbështet fuqimisht nga qeveria dhe ambasadat e huaja.

Adnand Xholi, ka një CV të pasur në rol drejtuesi dhe organizativi të një institucioni, pasi ka drejtuar prokurorinë e Gjirokastrës, prokurorinë e Lezhës, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndërkohë mjaft dosje të rëndësishme tek Krimet e Rënda dhe në SPAK janë hetuar dhe gjykuar prej tij, si dosjet e vjetra që sollën identifikimin e vrasjes së policëve të shtetit në ngjarjet e rënda të “Qafë-Gjashtës”, Bandën e Cërrikut, vrasjen e Ibrahim Bashës në Lazarat, hetimin e Arben Tollisë së famshëm, hetimin e rastit të goditjes me plumba të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe shumë çështje të tjera deri tek e fundit e vëllezërve Ndreaj nga Burreli.

Dy dosje penale në SPAK që janë të vetmet e realizuara me metoda proaktive, dhe që flasin për trafik droge dhe ngritjen e laboratorëve të kokainës në Shqipëri, janë hetuar nga prokurori Adnand Xholi.

Si zgjidhet kreu i SPAK

Drejtuesi i ri do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.

Pasi bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.

Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.

Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu