Shkruan Taulant Koplikaj
Kandidimi i Florjan Binajt për Tiranën, është një lajm që nuk mund të ketë interes vetëm në kryeqytet. Reagimet për këtë njoftim të orës së vonë, nga aktori i njohur, patën një det komentesh kudo ku ka shqiptarë, të cilët krahas habisë, demonstruan mbështetje për një kandidaturë që do t’i bëjë nder kujtdo që e përkrah.
Vendimi i Florit vjen në një moment kur forcat opozitare ende nuk kanë gjetur një emër të besueshëm për tu vënë përballë makinerisë shtetërore të rilindjes, e cila hyn në çdo palë zgjedhje me arrogancën e fituesit të paracaktuar.
Dhe, po. Në këtë moment, ky 40 vjeçar aktor në profesion, i diplomuar për arte pamore dhe së fundmi për arkitekturë, jep vërtetë shpresë se më në fund kryeqyteti mund të ketë personin e duhur për ta nxjerrë nga kthetrat e korrupsionit që ish-kryetari Erion Veliaj e ktheu në “modus operandi”.
Krahas aktivitetit profesional dhe artistik Binaj është një aktivist, pjesëmarrës dhe bashkëorganizator në dhjetra protesta për të drejtat e qytetarëve e kundër padrejtësive. Kjo ndodhte në të njëjtën kohë kur shumica e kolegëve të tij, ose heshtën, ose iu afruan pushtetit në formën më të shëmtuar, dikush si investitor strategjik, dikush si përfitues mega-projektesh apo dikush (më i guximshmi) si kryetar bashkie.
Shumë mirë ai mund të ishte duke numëruar pemët e pyllit orbital, apo të inauguronte piramidën, apo të “përshëndeste” kullat e qendrës së Tiranës. Por jo, nuk bëri asgjë nga këto, sepse integriteti nuk ka çmim, sepse me respektin e popullit, nuk mund të luhet. Kjo qasje antisistem, në një moment kur ofertat e pushtetit të Veliajt viheshin në tavolinë, quhet dinjitet, të cilin Flori e ka me shumicë.
Në këto kushte kur koha nuk pret dhe Binaj e shprehu publikisht gatishmërinë e tij, tashmë topi është në fushën e forcave opozitare, të cilat nëse janë serioze në tentativat për një kandidat të përbashkët, ja ku e kanë. Dy metër djalë, por jo hajdut si dymetroshët e Ramës.
Sot, për Tiranën, kjo është një mundësi e madhe, një tren që nuk duhet lënë të ikë. Është momenti që qytetarët të bëjnë diferencën dhe të përkrahin një kandidat që sjell jo vetëm eksperiencë dhe dije, por edhe integritet, kurajë dhe dashuri për qytetin dhe njerëzit e tij.
Prandaj, mbështetja e çdo individi për Florjan Binajn është thelbësore, sepse ai nuk është vetëm një zgjedhje për kryeqytetin, është një zgjedhje për Shqipërinë që duam të shohim.
Për më tepër, është një Piranjë, dhe kafshon