Europa ka mbjellur farën e padrejtësisë historike në Ballkan

0

Shkruan Zef Ndreka

Një prej nyjeve më të ndërlikuara të historisë dhe politikës ballkanike, europiane dhe mbase botërore, mbetet zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare.
Në fakt, çështja kombëtare shqiptare ka qenë dhe mbetet një element i pazgjidhur plotësisht, i cili vazhdimisht ka prodhuar tensione dhe dilema në rajon.
A ka kuptuar Europa se pa zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare nuk do ketë qetësi Ballkani? Ta analizojmë:
Si e ka parë Europa Ballkanin?
Historikisht, fuqitë e mëdha europiane, qysh nga Konferenca e Londrës (1913), e kanë trajtuar çështjen shqiptare më shumë si një problem për ekuilibra gjeopolitikë sesa si të drejtë kombëtare. Kjo ka sjell copëtimin e trojeve dhe një shtet shqiptar të cunguar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, çështja shqiptare është mbajtur e ngrirë brenda kufijve të sanksionuar nga regjimet komuniste, ndërkohë që Europa Perëndimore ka parë më shumë stabilitetin sesa zgjidhjen e aspiratave kombëtare.
Pas viteve ’90, me shpërbërjen e Jugosllavisë, çështja shqiptare shpërtheu fuqishëm në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë. Europa ndërhyri vetëm kur tensionet morën trajtë konflikti si në rastin e luftës në Kosovë. Reagimer kanë qënë më shumë pasive dhe emergjente, sesa strategjike.
A e ka kuptuar sot Europa?
Deri diku mund të themi se e ka kuotuar. Bashkimi Europian dhe NATO tashmë e dinë se shqiptarët janë faktor kyç stabiliteti në këtë rajon. Kjo shihet sot në rolin e tyre në Kosovë, në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri si anëtare e NATO-s.
Por Europa ende e sheh çështjen shqiptare me lente të interesave afatshkurtra, më tepër si menaxhim të krizës dhe jo si një zgjidhje përfundimtare që do të sillte qetësi të qëndrueshme afatgjatë apo të perherëshme. Europa gjithnjë ka patur frikë se zgjidhja e drejtë mund të hapë precedentë për pakicat e tjera në Ballkan.
Kështu, pa një adresim të drejtë të aspiratave shqiptare për barazi kombëtare dhe integrim real në strukturat europiane, Ballkani do të mbetet një vatër potenciale tensioni. Europa e di këtë në teori, por shpesh zgjedh ta shtyjë zgjidhjen në praktikë për arsye politike e gjeostrategjike.
Historia e çështjes shqiptare në raport me Europën e ka zanafillën që nga Konferenca e Londrës më 1913, kur Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e trojeve shqiptare. Europa e trajtoi çështjen shqiptare si një problem të ekuilibrit të forcave në Ballkan, e jo si të drejtë legjitime të një kombi për të jetuar i lirë dhe i bashkuar. Ai vendim, i diktuar nga interesat gjeopolitike të kohës, ka mbjellur farën e një padrejtësie historike që vazhdon të ndikojë edhe sot.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët dolën sërish në qendër të zhvillimeve ballkanike. Lufta e Kosovës tregoi se pa adresimin e të drejtave të shqiptarëve, Ballkani nuk mund të ketë stabilitet. Edhe sot, çështja mbetet e hapur. Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së, shqiptarët në Luginën e Preshevës ndihen të lënë në harresë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e fituara shpesh varen nga lëkundjet politike.
Europa, megjithëse e ndërgjegjshme për rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti, vijon ta trajtojë problemin me logjikën e vjetër të menaxhimit të krizës dhe jo të zgjidhjes përfundimtare.
Por e ardhmja e Ballkanit lidhet ngushtë me integrimin europian. Ky integrim nuk mund të ketë sukses pa u zgjidhur realisht çështja shqiptare. Shqiptarët janë të shpërndarë në disa shtete, por mbeten faktor kryesor i paqes dhe sigurisë.
Europa duhet të kuptojë se pa një adresim të drejtë dhe të qëndrueshëm të kësaj çështjeje përmes njohjes së Kosovës, garantimit të të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe përshpejtimit të integrimit, Ballkani do të mbetet një vatër tensioni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu