Në kuadër të operacionit të SPAK ku u lëshuan rreth 50 urdhër arreste dhe u goditën disa grupe kriminale, në bashkëpunim me Interpol është arrestuar në Itali, Arian Tuku.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Tuku, 36 vjeç nga Lezha, dyshohet se ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën. Gjithashtu ai dyshohet se ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit.
36-vjeçari Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest.
‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin Ndoka.
Po sipas SPAK, në 2020 ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.
‘Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks Ndreka.
Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.
Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK.
Hetimet e SPAK nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve ‘Sky’ që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.