Ja dhe një tjetër poezi “ziliqare”, nga Nexhat Haki, ku në buzë të shishës së rakisë kërkohet dashuria, por edhe të mund të harrohet varfëria duke kënduar e duke gëzuar qoftë edhe një natë…
Përzgjodhi Zef Ndreka:
Jevgut
As e merr gërrnetën të këndojmë prapë
Eja jevg të pijmë,
jak për kokën tënde.
Se kjo vera sonte,
do t’na bëjë tapë
Sa ti themi vetes:
ç’pate që u çmënde?
Kur t’na ndezi vera, kur t’na deh rakia,
dalim nga kalivja edhe rrimë jashtë,
Sa tu themi yjeve:
se kjo varfëria,
dergjet tok me këngën,
nëpër shtrat me kashtë!
Kur të ngjiret zëri, kur të soset vera,
Kur të kemi thyer shishe edhe gota,
Dalim nëpër udhë, siç dilnim për hera,
Tu tregojmë shokëve se ne jemi bota!
Eja, jevg, të pijmë, jak të lutëm shumë,
Ta gëzojmë jetën, qoftë për një natë,
Se ky fshati ynë do të rrij pa gjumë,
Dhe me ne do të vijnë
vajzat edhe gratë!
Jak, të pijmë sonte, të gjëmojë gërneta
Se në buzë të shishës
gjejmë dashurinë
Se kalivja jote thotë të vërteta.
Eja jevg të pijmë
se ta kam zilinë!