8 janari, dita kur dhuna e zhveshi opozitën nga morali politik

0

Shkruan Zef Ndreka

Demokracia nuk shkatërrohet vetëm nga pushteti autoritar, por edhe nga opozita që heq dorë nga parimet për hir të interesave personale.
Në historinë e tranzicionit shqiptar, Partia Demokratike ka njohur përplasje të ashpra, kriza lidershipi dhe ndarje ideologjike. Por 8-janari përfaqëson një thyerje tjetër më cilësore, një moment kur konflikti politik kaloi nga debati dhe përballja demokratike në përdorimin e dhunës së drejtpërdrejtë si mjet presioni politik. Ajo ditë ishte episodi më i turpshëm në historinë e saj një simptoma e thellë e degradimit të kulturës politike brenda opozitës shqiptare.
Sulmi ndaj selisë së Partisë Demokratike, i organizuar nga mbështetësit e Sali Berishës, nën justifikimin e rikthimit të sovranitetit të partisë, shënoi një paradoks dramatik,ku një forcë politike e lindur si reagim ndaj dhunës shtetërore, përdori dhunën kundër vetvetes. Përpjekja për të nxjerrë me forcë ish-kryetarin Lulzim Basha nga selia e PD-së, me mjete primitive dhe skena që i ngjanin më shumë një sulmi vandal sesa një akti politik, e ekspozoi publikisht falimentimin moral të kësaj lëvizjeje.
Këto pamje, të transmetuara drejtpërdrejt në media, nuk lanë vend për relativizime. Ato e zhveshën përfundimisht Sali Berishën nga çdo pretendim për lidership demokratik. Një politikan që kthehet te dhuna, presioni dhe mobilizimi i militantëve për të imponuar vullnetin e tij, dëshmon se ka humbur jo vetëm argumentin politik, por edhe legjitimitetin moral.
Në këtë kuptim, 8 janari shënoi jo fuqizimin, por zhburrërimin politik të Berishës, duke e reduktuar figurën e tij nga lider historik në aktor të dëshpëruar për mbijetesë.
Dihej më parë se kjo dhunë nuk kishte për qëllim reformimin e Partisë Demokratike apo rikthimin e saj te vlerat e djathta euroatlantike. Qëllimi real i dhunës ishte kapja e PD-së si instrument mbrojtës ndaj përballjes me drejtësinë. Shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ishte një akt diplomatik, por edhe një sinjal i qartë se epoka berishiste kishte marrë fund. Përballë këtij realiteti, Berisha zgjodhi jo të reflektoje, por zgjodhi përshkallëzimin, duke e shndërruar partinë në një kalà personale për të mbrojtur interesat e tij dhe të rrethit të ngushtë.
Pasojat e 8 janarit shkojnë përtej individëve. Ajo ditë dëmtoi rëndë besimin e publikut te opozita si alternativë qeverisëse. Një opozitë që dhunon institucionin e vet nuk mund të pretendojë se do të ndërtojë një shtet ligjor apo do të mbrojë rendin kushtetues.
Kriza e PD-së u thellua jo vetëm në aspektin organizativ, por edhe në planin simbolik, ku ajo humbi rolin e saj kryesor si bartëse e shpresës për ndryshim.
Sot, 8 janari duhet kujtuar jo vetëm si një konflikt i brendshëm partiak, por si një mësim politik për shoqërinë shqiptare. Demokracia nuk shkatërrohet vetëm nga pushteti autoritar, por edhe nga opozita që heq dorë nga parimet për hir të interesave personale. Pa një ndarje të qartë me dhunën, me kultin e individit dhe me instrumentalizimin e partive si mburoja personale, opozita shqiptare do të mbetet peng i së shkuarës dhe e paaftë për të ndërtuar të ardhmen.
Nëse 8 janari do të ketë ndonjë vlerë historike, ajo duhet të jetë vetëm si paralajmërim, se pa moral politik, pa ligj dhe pa përgjegjësi personale, asnjë forcë politike sado e madhe apo historike të jetë, nuk mund të mbijetojë si alternativë demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu