Një ekspozitë për librin shqip për fëmijë në bibliotekën “Marin Barleti”, Shkodër

0
Shkruan Xhahid Bushati
Mbresa dhe përftesa
Kjo Ekspozitë e çmueshme që u çel, më 21.11.2023, na flet për rrugëtimin e Librit për fëmijë nëpër vite e dekada përmes sprovash shpesh jo të lehta dhe përbën një akt fisnikërie e njëkohësisht një shpalosje shumëdimensionale për të njohur, krahas fondit të përgjithshëm, edhe një pjesë të trashëgimisë fëminore të qytetit të Shkodrës, me autorë bijtë e tij, të cilët ishin dhe mbeten shkrimtarë, mësues, edukatorë, filozofë, të urtë, të mençur, rrëfimtarë e psikologë të devotshëm, përkushtues e pasionantë, etj., por që ishin edhe të kulturuar, të shkolluar, veprimtarë, mendjendriçues dhe vizionarë. Përkujdesja dhe misioni i tyre përherë ka nderimin e brezave, sigurisht edhe nderimin tonë, sepse filozofia e tyre ishte përkushtimi kulturor e edukativ i asaj moshe që quhet: fëmijë. Njëkohësisht kjo Ekspozitë e Librit për fëmijë ka dhe një vlerë të çmuar, në themel të diturisë dhe edukimit të saj rrezaton fëmijëria e Bibliotekës “Marin Barleti”, fëmijëria e brezave, ku përmes librave mësimorë, didaktikë e artistiko-letrar u mëkuan, u dritësuan, u formuan dhe çanë në shtigjet e jetës me këtë pasuri të vlertë.
Është e njohur urtësia se fëmijëria është pjesa e parë, e bukur, e shtrenjtë dhe e paharruar e jetës, edhe pse nganjëherë për dikë ka qenë edhe e vështirë. Përherë, e parreshtur te fëmijëria fryn era e mallit dhe e nostalgjisë. Fëmijërisë, shumë autorë i kanë lënë amanet krijimtarinë e tyre. Po le të kthehemi tek patriarkët dhe shkrimtarët shkodranë që derdhen frymëzimin e tyre për të shkruar libra të bukur dhe me vlerë. Po përmend disa prej tyre, ndonëse numri i tyre është i madh, si: Mati Logoreci, Gaspër Benussi, Kolë Kamsi, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Marin Sirdani, Migjeni, Cuk Simoni, Filip Fishta, Ndre Mjedja, veçanërisht Anton Xanoni, pastaj për të ardhur te Vehbi Bala, Arif Gjyli, Teufik Gjyli, Skënder Drini, Sandër Gera, Fadil Kraja, At Donat Kurti, Adil Zeka, Lajde Staku, Frederik Rreshpja, Vitore Leci, Luçie Serreqi, Marta Naraçi, Alfred Çapaliku, Skënder Temali, Mustafa Tukaj, Nikolla Spathari, Eris Bushati, Xhelal Zaganjori, Drita Mlloja, Xhahid Bushati, etj., etj., etj. Gjatë shikimit të ekspozitës, u njohëm dhe u rinjohëm me shumë kopertina librash, ku brenda tyre frymojnë vjershat, poema, përrallat, tregimet, romanet, germat shqipe të Abetares, copat e këndimit, bota dhe ëndrrat e fëmijëve, psikika dhe shpirti i tyre magjepsës e i pastër.
Njëkohësisht shndrit dashuria e madhe të këtyre autorëve ndaj fëmijëve për t’u dhënë si dhuratë të bukur dritëditurie – librin. Është një pasuri e madhe me të cilën Shkodra me bijtë e ka krijuar, vlerësuar maksimalisht dhe duke ushqyer gjeneratat nëpër vite, dhe që vazhdon t’i ushqejë. Mjafton t’ju kujtoj, se në vitin 1936, tre përkthyes, dy prej të cilëve shkodranë të nderuar sollën për herë të parë në Shqipëri, më saktësisht në Shkodër, “Kallximet e Andersenit” duke iu drejtuar dy vatrave të rëndësishme: Shkollës e Familjes. Vetëm Shkodra e evropianizuar me bijtë e saj të ditur sjellë e para këtë magji për fëmijët e qytetit të Shkodrës, sjellë madhështinë e Përrallave të Hans Kristian Andersenit.
Duke u njohur me eksponatet e kësaj ekspozite, sigurisht dritare kujtimesh përmes viteve, hapen përmes bukurive të librave, me, të cilët, edhe pse pas kaq vitesh, ende bisedojmë, dialogojmë me to si me një personazh të dashur dhe të shtrenjtë e të paharruar.
Para dy ditësh mbylli dyert Panairi i 26-të i librit në Tiranë. Tek stenda e Sh. B. Mediaprint ishte dhe libri “Peshkatarët e fjalëve” i përkthyer nga Arta Marku, i shkrimtares italiane për fëmijë Kiara Sorrentino. Në një intervistë, lidhur me librin për fëmijë, më janë ngulitur këto fjalë të saj: “Mesazhet që përçojnë librat për fëmijë janë, shpesh, universale dhe tërthore. Ka libra që magjepsin edhe të rriturit si për përmbajtjen ashtu edhe për imazhet e tyre. Histori që përqafojnë dhe kujdesen nga ilustrimet që janë vepra të vërteta arti”.
Kjo Ekspozitë e Librit për Fëmijë e ka edhe një dimension vlerash dhe vlerësimesh. Në udhëtimin tonë të jetës, duke respektuar këndvështrimet, qëndrimet, qasjet ndaj problematikave të shoqërisë, ndeshemi me dy nocione të rëndësishme: Kujtesa dhe Harresa. Këtij udhëtimi shpesh apo nganjëherë, Kujtesa ka paraprirë e Harresa ka dalë e dyta; si dhe Harresa ka paraprirë e Kujtesa ka dalë e dyta. Kjo ekspozitë e Librit shqip për fëmijë ripohon sa e fuqishme është kujtesa dhe pse atë duhet ta thërrasim vazhdimisht. Për këtë Kujtesë, që është e domosdoshme, besoj se duhet falenderuar Drejtorja e Bibliotekës “Marin Barleti”, poetja e mirënjohur Ledia Dushi dhe stafi i saj që na bëri këtë dhuratë të çmuar me Dritë Diturie dhe në emër të rrezatimit të kësaj Dritë-Diturie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu