Këtë të diel në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë. Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.
Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë – proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.
Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.
Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti të tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.
Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.