Dy herë e transformuar, fillimisht në vitin 2015 dhe më pas në vitin 2023, projekti ‘Rijetëzimi i Piramidës’ që kushtuar plot 14 miliard lekë (mbi 12 mln euro), ka përfunduar në duart e privatit. Kompanitë “FUSHA shpk” dhe “EDIL-AL shpk” morën në dorë paratë publike përmes një tenderi të dhënë nga Bashkia Tiranë për ta kthyer ish-Muzeun e Diktatorit në një qendër inovacioni ku sipas kryeministrit Edi Rama do të mësojnë mbi 5 mijë të rinj.
Në tetorin e vitit 1988, kjo godinë u hap nga një grup arkitektësh me në krye vajzën dhe dhëndrin e diktatorit Enver Hoxha, për të shërbyer si një muze i përhershëm që do të kujtonte jetën e diktatorit. Por muzeu “ra” së bashku me regjimin komunist dhe ndërtesa vit pas viti mori funksione të ndryshme.
Kjo godinë ishte nën zotërimin e Ministrisë së Kulturës me funksionin si Qendër ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”, por që në vitin prej vitit 2016 Piramida i kaloi në pronësi Bashkisë Tiranë.
Projekti “Rijetësimi i Piramidës” u prezantua në vitin 2018, ndërsa projekti final u prezantua në maj po të njëjtit vit ku u vendos që Piramida të kthehet në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimin digjital, në kulturën e energjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës e kurseve profesionale apo te hapësirave te tjera rinore.
E ndërsa sot, me të ardhurat nga Bashkia e Tiranës, fonde të vëna në dispozicion nga buxheti i Ministrisë së Kulturës si dhe të ardhurat e Fondit shqiptaro-amerikan për Zhvillim ka pësuar një tjetër transformim që sipas qeverisë do t’i shërbejë rinisë shqiptare.
Por, deri më tani, të vetmit sektor që po i shërben është sektori privat.
Moderatorja Arbana Osmani ka marrë katin -1 të kësaj godine për ta kthyer në një restorant. Shenjat e dhëna prej saj prej thuajse një jave në Instastory, sot u zyrtarizuan, kur Zëri.ai publikoi dhe dokumentin e marrë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shihet qartë se Osmani ka vendosur dhe adresën për biznesin e ri, e që është pikërisht kati -1 i Piramidës.
“Bana-s” quhet restoranti por, nuk dihet ende se kush e ka dhënë ambientin në fjalë në përdorim për Osmanin, Ministria e Kulturës apo Bashkia e Tiranës. Zëri.ai ka kontaktuar me moderatoren Arbana Osmani, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë ende një përgjigje.
Fakt është se kati i parë i qendrës multifunksionale dixhitale për edukimin e brezave të rinj do të mbushet me turistë që nuk do të kenë si qëllim digjitalizimin, por provimin e recetave të moderatores…