Histori kundër harresës se Podgorica ishte Iliro-Shqiptare.

0

Shkruan Ndue Bacaj

Kryeqyteti i sotëm i Malit të Zi , Podgorica , ka një histori të hershme Iliro-Shqiptare dhe një histori të vonë malazeze. Por ndonse  historia  malazeze e Podgoricës është e vonë , ajo ka qenë aq intensive dhe antietnike shqiptare , sa sot trashigimia historike iliro-shqiptare e Podgoricës është në kushtet e mbijetesës pakthim… Ndersa historia Iliro-Shqiptare e Podgoricës që po perpiqem ta “memorizoi”  në vijim (sado e vogël) është  kundër kësaj harrese…

Histori Iliro-Shqiptare e Podgoricës

Podgorica si shumë trojet të tjera të Malit të Zi , kanë qenë që mijëra vitesh  më perpara e deri në shek.XIX e fillimin e atij të XX , troje etnike Iliro-Shqiptare , kur zollumi i  grabitjes të trojeve shqiptare nga ardhacakët e vonë sllave mori edhe “bekimin” e Europës plakë…Mori “bekimin” me “arsyetimin” pa arsyetim , se keto troje “ishin” të perandorisë turko-osmane , që kishte pushtuar  Ballknin dhe Shqiperinë për shekuj edhe për fajin e vetë Europës… Perandoria turke-osmane si pushtuese shekullore në shek.XIX kishte filluar renien pa kthim , ku për të shpetuar çfar të mundte nga vetja , ishte e gatshme të “falte” pa mëshirë trojet shqiptare. Një nga këto “falje” të pa mëshirshme është edhe Podgorica , vijuesja dhe trashigimtarja e qytetrimeve dhe  ndertimeve iliro-shqiptare , të fiseve ilire të Labeatëve dhe Diokleatëve , të  qyteteve e qendrave të urbanizuara e fortifikuara të Dioklesë , Berziminium-it e Ribnicës e deri vetë Podgoricës… Për të vertetuar këtë histori Iliro-Shqiptare të Podgoricës , mendova t’u referohemen studiuesve , historianëve , albanologëve dhe  veprimtarëve të shquar të “letrave” të kësaj fushe , (kryesisht të huaj) , të cilët nuk kanë pasur asnjë interesë e arësye të fallsifikojnë në veprat e tyre historinë e trojeve etnike shqiptare , perpara personalitetit të tyre  si studiues , historianë e albanologë të pakontestuar , të  njohur e të vlersuar  nga peronalitete , akademi e institucione  ndërkombëtaretë prestigjoze të kësaj fushe…:

Mendova ta filloi këtë “punim” me  një studim me titull : Shkodra dhe krahinat e saj në mesjetë , të publikuar në vitin 1916 nga historiani , studiuesi dhe  njohësi shumë i mirë i historisë së Ballkanit , Prof. Dr. Konstantin Jireçek , nga i cili citojmë : “Trashigimtarja e Dioklesë u bë Ribnica në shek.XII… Sot Ribnicë quhet lumi që rrjedh nëpër qytet të Podgoricës , dhe s’ka dyshim  që ky qytet është Ribnica e vjetër. Emri Podgoricë përmendet për herë të parë në ma të moçmin libër noterak të gjyqit të Kotorrit , në të cilin figurojnë trgtarë lëkurash e këpucarë podgoriçaj (viti 1330). Lidhet me emnat e zhupave të asaj kohe ; në anen lindore të liqenit ishte Zhupa e Gores (e Malit) që permendin Presbyter Diocleas dhe dokumentet e Zhiça-s (1220) , ma vonë ndër dokumenta  të Prizrenit në kohë të car Stefanit (1348) e në kadastren veneciane të Shkodrës në 1416 , krahinë e Podgorës (Nënmalit). Ende në vitin 1448 kishte selinë e vet në Podgoricë një vojvodë i Despotit Gjergj fisniku… Qyteti ra shpejt nën zotnim të Venedikut , por qysh mbas pak  vjetësh gjejmë aty Turqit , të cilët e mbajten deri në 1877”. 1.

Nëse historiani Prof. Dr. Konstantin Jireçek  e cilëson Podgoricën si trashigimtare të qytetit Ilir me emrin e lumit Ribnica , studiuesi dhe albanologu i shquar kroat Dr. Milan Shuflaj , në një vepër studimore të tij në vitin 1924 , kur shkruan për qytetin antik ilir të Dioklesë  , ndër të tjera “pohon” se qyeteti antik ilir Berziminium , (sot)  trashigohet nga qyteti i Podgoricës… Për këtë citojmë Shuflajn: “Rruga e madhe ushtarake  Dyrrhachium –Salona nuk e prekte këtë qytet ; një rrugë e dorës dytë e lidhte qytetin Berziminium (Berzumno, sot Podgorica) me atë rrugë kryesore . Nuk e dimë sa i madh ka qenë qarku i qytetit. Në jug dhe në veriperendim gjendeshin nekropolet. Megjithse qyteti gjendej te gryka e dy lumenjve që kishin ujë të pastër si kristali , dhe megjithse në afersinë e tij kishte edhe burime të mira , romanët kishin marrë ujin e burimit të Cijevnas (Cemit) , që ishte shumë më larg dhe e kishin sjellë në qytet. Ujësjellësi do të sherbente edhe për Berziminium-in ; ai perdorej  njëkohësisht edhe si urë për të kaluar Moraçen”.2.  Ndersa studiuesi dhe  Konsulli i  Francës në Shkodër , Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866) , (Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës) në një vepër të tij të konsideruar dhe vlersuar si veper , historike , enciklopedike dhe studimore  per një kohë më të vonë ndër të tjera shkruan: Krahinat dhe komunat  (nahijet dhe bajrakët) që së bashku  formojnë pashallëkun e Shkodrës  kanë pothuajse të gjitha  emrin e qytetit ose fshatit ku jeton kryetari (mudiri) i tyre ; ato  ndahen si më poshtë: Qyteti i Shkodrës me rrethinat (Nahia e Shkodrës) ; krahina e Tivarit (Nahia e Tivarit) ; Krahina e Ulqinit (Nahia e Ulqinit) ; krahina e Lezhës (Nahia Lesises) ; krahina e Podgoricës , që perfshin  Zhabjakun  dhe Shpuzën (Nahia Spuz e Podgoricës ) ; krahina e Gucisë dhe e Plavës (Nahia e Gucisë) ; dhe në fund krahina e Bjelopoljes (Nahia e Bielopoj).3.  Në brigjet e Ribnicës , lumë i vogël që derdhet jo larg prej saj në Moraçë, gjendet Podgorica , kryeqyteti i krahinës  , residencë e një mudiri (guvernatori) dhe e një kadiu…Podgorica është themelua në shek.XV me urdher të sultan Mehmetitt II, mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë dhe jo larg vendndodhjes së këtij qyteti , i cili sipas kolonel Kovaleskit , shtrihej në vendin ku sot gjendet Duklja (Dukla) , një fshat i vogël në veriperendim të Podgoricës , një orë larg saj. Ky udhëtar gjeti aty kolona  që ende mbaheshin në këmbë , porta me mbishkrime latine dhe gjurmët e mureve të lashta rrethuese. Podgorica , e ndertuar sipas një plani të çrregullt , rrethohet nga një mur me bedena që e lidh me fortesen  e vendosur mbi një kodër të vogël.  Fortesa , muret e së cilës po shemben , është e rrethuar nga një hendek  tetë metra i  gjerë dhe tre metra i thellë  , që mbushet me ujë vetëm në dimer. Prej disa vitesh  , ajo sherben  si garnizon per një trupë ushtarësh  të rregullt ,armatimet e së cilës , në gjndje gatishmerie  pas luftës së funditme Malin e Zi , përbëhen nga tetë topa dhe dy mortaje.4. 

Siç cituam më sipër Hekardi në vepren e  tij  pasi “percakton” vend-ndodhjen  e Podgorisës  cilëson edhe “themeluesin” dhe kohën e  themelimitt të saj , duke pohuar se Podgorica është themeluar mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë. Një studiues Italian (Ermanno Armao) kur i referohet historisë së Podgoricës duke iu  referuar edhe  edhe studiuesve të tjerë shkruan: “Ndersa Hecquard (Hekuard) pohon se Podgorica u themelua në shek.XV me urdhër të Mehmetit II , pushtuesi i Shqiperisë së veriut (i vdekur më 1481), Thalloczy e Baldaçi , pa permendur burimet , e çojnë zanafillen e qytetit në mesjeten e hershme , sipas Jirecek-ut Podgorica permendet pë herë të parë  më 1330. Tani e dime nga Coronelli  (hartolog i shek.XVII. N.B.)  se Podgorica është themeluar nga Tugemir apo Tihomir , princ i Zetës , vëlla i Stefan Nemajës “zhupan” i Serbisë , marshtrues i shteteve të tij mes viteve 1169 e 1171 , ndërkohë që ky ishte rob i  bizantinëve në Kostandinopojë. Ka zevendësuar fshatin tashma të zhdukur  të Ribnicës … Podgorica me 8000 banorët e saj  , është sot (bëhet fjalë për vitet 1928-1932 kur Armao vizitoi Shkodren e më gjërë , N.B.) një nga qytetet kryesore të Malit të Zi  të cilit iu aneksua me 1878 , duke pushuar në ketë mënyrë sundimi i gjatë turk.  Gjendet në mes lumejëve Moraça e Ribnica , rreth 20 km nga liqeni i Shkodrës me të cilin bashkohet nga një hekurudhë e vogël.  Aty flitet ende shqip me gjithë 54 vitet e sundimit sllav dhe një largim nga vendi i një numri të madh muslimanësh shqiptar të terhequr në Tuz i cili i mbeti Turqisë deri në vitin 1912”.5.   Studiuesi francez (Hecquard)në vepren e tij pershkruan më me hollsi qytetin dhe disa vepra ndertimore të tij , nga ku mendova të citoj: “Qyteti – me rrugë të ngushta , tërë dredha e të pista , ndahet në dy lagje , njëra e quajtur  Mjeka (Miechia) dhe tjetra Varosh.  Midis tyre gjendet pazari , i formuar nga treqind  e pesëdhjetë  dyqane. Aty çdo të diel  , zhvillohet pazari , ku vijnë  banorët e maleve fqinje , dhe kur Podgorica nuk është në luftë me Malin e Zi, vijnë edhe banorët  e Piperit  e të Kuçit.6.  Xhamitë dhe kishat –  Si të gjitha qytetet e tjera të Shqiperisë  së Epërme , Podgorica nuk ka asnjë xhami  që të bie në sy. Sllavët ortodoksë, edhe pse të shumtë në numër , nuk kanë arritur të marrin  leje për të ndertuar një kishë ; kisha që kishin dikur gjendej jashtë qytetit , jo shumë larg kodres  së Goricës. Ajo ishte ndertuar mbi rrënojat e kishes vjeter të Shën Gjergjit dhe u shkatërrua me 25 maj 1855 nga muslimanët e Podgoricës  , të nxitur nga predikimet  e disa ulemave fanatikë e të udhëhequr nga guvernatori i tyre  Ali Spahiu. Kur nuk mbeti më asnjë gurë në këmbë këta të pafe  iu sullen  varreve dhe , pasi nxorren kufomat , iu prenë kokat  dhe i ngulen ato në hunjë…

Shkollat : Dy priftërinjë sllavë , që mvaren nga peshkopi i Prizrenit dhe bënin administrimin e kësaj famullie  dhe , në një godinë ngjitur me kishën  , e cila gjithashtu u shkatërrua kishin hapur një shkollë ku fëmijët perfitonin  arsimin fillestar falas.  Turqit kanë gjithashtu  tre mejtepe pak të ndjekura dhe të drejtuara nga hoxhallarë injorant… Krahina e Podgoricës perfshinë bajrakun e Grudës  e të Tuzit , bajrakun e Zetës , të Zhabjakut dhe të Fundinës , sikurse edhe ishullin e Vraninës. Sipas shqiptarëve , në këtë krahinë  perfshihet  edhe pjesa jugore e fisit të Kuçit. 7.   Me 25 qershor 1856 Kuçasit e jugut të shtyrë nga turqit e Podgoricës , të cilët shpresonin  se përmes kësaj lufte kundër Malit të Zi , do të largonin nga vetja ndeshkimin që u kanosej nga se kishin shkatërruar një kishë , kuçasit , pra duke dashur gjithashtu t’u  falen sulmet e tyre të fundit  kundër Grudës  , sulmuan fshatin e Bratonosiçit që i perkiste kuçasve malazez  , dogjën dhjetë shtëpi , vranë tre burra dhe plagosen pesë të tjerë…8.  Në Podgoricë , kristianët , njëherazi me nizaminë (taksë fikse prej 500 piastrash…) , paguajnë edhe maktuminë që të mos  jenë të detyruar të marrin armët kur vendi është në armiqësi me Malin e Zi…9.  Podgorica ra nën Malin e Zi  në luftën e fundit turko-ruse  (me 1877) malazezët morën  Podoricën  duke perfshirë edhe Trieshin (Triepshin)…10. 

Të dhëna për banorët e Podgoricës

Në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres të vitit 1485 (perpilua nga pushtuesi turko-osman), Podgorica shenohet si Nahija e Podgoricës , ku bënin pjesë : fshati Podgorica me emrat e 40 kryefamiljarëve ose 40 shtepiave (dhe të ardhurat) , të gjithë emrat e kryefamiljarëve janë të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks.  Në varësi të nahijes së Potgoricës shenohen edhe  fshatrat Kurile , Varoshi i vetë kalasë  së Zhabjakut , me emrat e 30 kryefamiljarëve ose 30 shtepiave , (të cilat të gjitha ishin të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B..  Dhe fshati  Medon , që varet  nga kalaja e Medunit  në Kazanë e Podgoricës ; është varosh i kalasë të përmendur më lart. Ketu regjistrohen emrat e 15 kryefamiljarëve dhe po kaq shtepiave ,11.  (të gjitha të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B.). Ndersa në registrimin e vitit 1582  (po nga pushtuesi turko-osman), për Podgoricen gjemë të shenuar një popullsi që “permbledhej” në 167 shtepia e 27 beqarë të besimit Kristian , dhe 94 shtepi muslimane.12.  Vlenë të cilësohet se Podgorica ishte vendi ku popullsia kishte perqafua besimin e pushtuesit më shumë se asnjë vend tjeter. Gruda që bënte pjesë në këtë Nahije kishte 134 shtepia e 33 beqar të besimit Kristian dhe vetëm 4 shetpia që ishin bërë muslman.  Një pershkrim intersant i bënë Podgoricës në vitin 1662 kronisti turk Evlija Çelebiu , i cili ndër të tjera do të shkruante: “…Si dolëm nga Shkodra udhëtuam në drejtim të perendimit nëpër një terren malor (kara daglig) dhe pas …orësh mbërritëm në kalanë e rreptë të Podgoricës , e cila gjendet në skaj të zones kufitare. Emrin e ka shqip në kuotimin… Është ndërtuar  nga sulltan  Mehmed Pushtuesi (Fatihu)  në vitin 883 (1478) , kur mori kalanë e Shkodrës , me qellim që t’a  mbronte këtë të fundit nga kusarët shqiptar  dhe nga të pafetë venedikas. Është një struturë katërkëndëshe prej guri të fortë e muresh të trasha , ngritur mbi një hapsirë shkëmbore të quajtur Mali i Zi (Kara Dag) , dhe ka kulla , ledhe mbrojtëse  ,bedena të dhëmbëzuar , një portë të vetme , si dhe një hëndek të hapur në shkëmb. Brenda në Kala janë Dizdari  dhe garnizoni prej 700 trupash…. Podgorica qeveriset  nga një subash dhe bënë pjesë në sanxhakun e Shkodrës. Përveç nënkadive që kanë në varësi fshatrat përreth , zyrtarë të tjerë nuk ka . Brenda në kala  gjenden 300 shtepi të vogla  , një xhami e sultan Mehmed Pushtuesit , një serë hambarësh drithi  , depo municionesh artilerie , si dhe sterna uji. Godina të tjera publike nuk ka , qoftë hane , medrese , hamame , ose bezistane.13.   Ndersa studiuesi dhe konsulli francez në Shkodër në vitin 1851-55 do të shenonte se Podgorica  ka 950 shtepi , 630  shtepi të banuara nga muslimanë dhe 270 nga  ortodoksë. , popullsia arrin në 6540 banorë. Podgorica  është e vendosur në mes të një fushe  dhe emri i saj , që në gjuhen sllave nën kodër , mund të shpjegohet vetëm me vendodhjen e saj fare pak  larg malit të ulët të Goricës.14.  (Hecquardi kur i ndanë shtepiat e Podgoricës  sipas besimeve lë mangut  50 shtepia , të cilat mendoj se i perkasin besimit Katolik N.B.) Një burim me vlera për popullsinë shqiptare të disa qyteteve etnike shqiptare , por  tashma të okupuara nga sllavët , është  edhe studimi e pershkrimi që u bënë këtyre qyteteve prof.Antonio Baldaçi nga i cili citojmë: “Qytetet e Shkupit , Kalkandelës , Gostivarit , Strugës  , Ohrit e Dibrës  janë qendra shumë të forta shqiptare  dhe vetë qyteti i Manastirit (Bitola) ka koloni shqiptare të mëdha në numër. Në kufijtë e mbretërisë së zhdukur të Mailit të Zi , Gjakovës dhe Pejës  s’ka tjetër veçse qendra shqiptare kurse rajonet rajonet e Grudës e Plavës  dhe qytetet e Podgoricës , Ulqinit e Tivarit me rrethinat e tyre përmbajnë grumbullime shqiptare .  Me fiset e maleve malaziese , sikurse Hoti , Gruda , Trieshi , popullsia shqiptare e Malit të Zi  të vjetër  vertitet te 150 mijë vetët. Vetë statestikat jugosllave (të vitit 1921) japin për Malin e Zi (të paktën ai që ishte me traktatin e Berlinit , pra , pa teritorin e pushtuar në luftën ballkanike) 16.826 shqipfolës në një popullsi të pergjithshme prej 199.857 banorësh. Keta shqipfolës gjenden në epërsi numerike në Tivar (11.283 banorë) , në Podgoricë (4.764 banorë) , në Ulqin (3.344 banorë) , në Andrievicë (771 banorë) , në Cetinë (217 banorë)”. 15.  Një panoramë interesante na jep edhe studiuesja e njohur angleze  Edith Durham , e cila ka vizituar e vrojtuar nga afër troje shqiptare e më gjërë , kryesisht ato të veriut , kur shkruan : “Gusht i vitit 1900. Isha në Cetinjë , e këtu për herë të parë kam një fill të lëmshit  ballkanik….Në atë kohë Cetina ishte një fshat me çati të kuqe  dhe shquhej qartë në mes të një fushe të rrethuar me male. Shumica e kasolleve ishin pëdhese , e në të banonin rreth tre mijë frymë. Nga Cetina shkuam në Podgoricë , ku për herë të parë pashë shqiptarë. Podgorica ishte plot me shqiptarë , të veshur të gjithë me kostume kombëtare , spese deri në atë kohë Mali i Zi nuk kishte bërë shumë perpjekje për ta ndaluar një gjë të tillë…”.16.

Pak fjalë për ppopullsinë e Podgoricës “sot”

Në vitin 1948 Podgorcia (qytet) kishte 14.369 banorë , ndersa në vitin 1991  numri i banorëve kishte shkuar në 117.185 banorë. Një statestikë e vitit 203 shenon për Podgoricën 136.473 banorë , ku nga kjo statestikë shenohen të regjistruar  shqiptarë 9296 banorë , ose rreth 5.5% e popullsisë pergjithshme … Ndërsa sipas  regjistrimit të popullsisë së vitit i 2011, 17 ,  në qytetin e  Podgoricës  jetojnë 150 mijë e 977 banorë , ku vetëm 1404 janë deklaruar shqiptarë ose pak më shumë se  1 % e banorëve të Podgoricës.18. 

Analiza etimologjike..

Një analizë interesante etimologjike të toponimit  të Podgoricës  dhe toponimeve mbi të cilat është ndërtuar Podgorica e bënë studiuesi shqiptar Preloc Margilaj në një libër interesant të tij , ndaj mendova ta citoj si vijon:

“Podgorica –Pod fjalë sllav , Goric- nga fjala iliro-shqipe gur-i . Sipas kronikës :Birzimino , Burzum.  Qytet në fushen e Cemit –Mali i Zi  , shtrihet në delten e lumit Ribnica në Moraçë , jo larg qytetit antic Dioklea. Pazari i vjetër i Podgoricës  qendron mbi qytetin e vjetër Birzimun , që e kanë quajtur romakët  , të huajt dhe banorët e vendit.  Në të vertet  qyteti më i hershëm është quajtur Alatë.19.  Analiza  etimologjike (Birzimino)-Toponimi është kompozim  ga fjalët birë (vrimë-a) + i , e zi ,zezë. Afer rrjdhjes së Ribnicës në Moraçë , në fund të lumit syza uji (vrima , shpella të thella) që akoma populli i quan rape-gropa dhe  pikrisht aty  në të dy brigje të lumit  filloi urbanizimi i qytetit. Bir/a –vrimë , shpellë + i zi e zezë. Nga thellësia e vrimave (rapeve) ujikalon në pamje mavi , në të zezë. Bir-zi –janë fjalë  me kuptimin semantik të gjuhës shqipe , kurse prapashtesa mini sherben per formimin e emrit të toponimit Birzimin. Siç dihet  sipas pozicionit gjeografik Podgorica qendron në truallin sizmologjik  , kështu që në të kaluaren  procese të shpeshta tektonike e kanë ndryshuar relievin  e siperfaqes dhe krijuan luginën e lumit Ribnica me rapa (vrima) me thellësi të panjohura.  Alata – emri më i moçëm i lumit Ribnica që rrjedhë nëpër qytetin e Podgoricës.20. 

Emigrantët Podgoriçanë në Shkodër…

Edhe sot nëpër Shkodër e rrethina ka banorë e familje që njihen me “identitetin” Podgoriçan. Vetë ky “identitet” tregon se e kanë prejardhjen nga Podgorica.  Podgoriçanët si identitet kombëtar në pergjithsi njihen si Malazez (ortodoks të islamizuar gjatë pushtimit turko-osman). Mirpo perkunder ketij identiteti Malazez ,  ka edhe familje podgoriçane që origjinen e kanë shqiptare. Siç dihet pushtuesi  turko-osman, armiqtë kryesor kishte shqiptarët Kristian-katolik , ndersa ortodoksia jo shumë kohë pas pushtimit u nënshtrua dhe me “marifetet” e veta arriti të bëhet edhe aleatë i pushtuesve turq , shpesh edhe në luftën kundër shqiptarëve kristian-katolik. Turqit kishin si qellim jo vetëm nënshtrimin e shqiptarëve katolik , por asgjesimin e besimit të tyre. Në kushtet e rezistencës të popullsisë katolike për ruajtjen e fesë dhe identitetit të të parëve të tyre , pushtuesit turq me kërbaç e kulaç , i “toleronin” katolikët shqiptarë (kryesisht ata të veriut të Shqiperisë) , që nëse nuk donin të beheshin musliman (apo turq siç i quanin në atë kohë ) mund të beheshin ortodoks , dhe të “hynin” nën ombredhen e kishes ortodokse. Në këto kushte ka pasur jo pak shqiptarë që pasi perqafuan besimin Kristian-ortodoks dhe u futën nën kishen ortodokse , dalngadal ata humbën edhe kombësinë , dhe sot ata identifikohen si sllav , malazez  apo serb… Në keto kushte duket se edhe  katoliket e Podgoricës e rrethinave , u bënë ortodoks me “arsyetimin” se edhe ky është besim Kristian , por që më vonë për aresye ekonomike e privilegje të tjera lanë ortodoksinë dhe perqafuan fenë islame të pushtuesit turko-osman. Kur pushtuesi turko-osman filloi të marrin tëposhten pa kthim , podgoriçanët u gjetën të pambrojtur nga sllavët malazez e serb , që tashma kishin fituar jo autonomin që e ksihin prej kohësh , por pavaresinë. Në keto kushte sllavët ortodoks që kishin grabitur troje shqiptare  (edhe me bekimin e Europes plakë ), filluan reprezaljet e deri spastrin etnik nga shqiptarët muslimanë  të Podgoricës e më gjërë , të sllavizuar e pastaj “turqizuar”… Sipas një studiuesi të njohur  shkodranë prej derës së Bushatëlinjëve, podgoriçanët kanë emigruar në Shkodër në katër “periulla”:

I-Gjatë  sundimit të Bushatlinjve ,

II-Mbas Kongresit të Berlinit ,

III-Gjatë luftës së I-rë Botërore ,

IV-Gjatë luftës II-të Botërore .

Për disa familje  podgoriçanësh të shpërngulur në Shkodër para pushtimit të Podgoricës  prej  Malit të Zi , nuk mund të percaktohet një motiv i fiksuar ; emigruan për gjaqe , apo si nëpunës për qellime fitimi. Emigracioni i dëndur i asaj populate  nisën mbas invazionit malazias  në vitin 1880 , sepse qenë të frikësuar nga  persekutimet e malazezve  , me qellim çfarosje të muslimanëve , edhe kur ishin  të një gjuhe të përbashkët  dhe të një kombësie. Krahas urrejtjes kundër muslimanëve të të gjitha vendeve të pushtuara prej tyre  , siç ishin Podgorica , Shpuza , Nikshiqi e tj.., malazeztë vepronin edhe me qellim hakmarrjeje kundër tyre ashtu si dhe ndaj shqiptarëve , sepse sëbashku kishin luftuar shumë here me ta  duke derdhur lumenj gjaku deri vonë , perderi sa malazeztë nuk kanë pushuar  së plaçkituri , së masakruari  e së shkatërruari me qindar heresh vendet  kufitare shqiptare”.21. 

Podgorica dhe muzeumet e saj…

Podgorica si çdo qender e banuar qytetare , historinë e vet është munduar ta memorizojnë në muzeumet e veta…Unë ketu mendova vetëm t’i paraqes si “listë” muzeumet kryesore të Podgoricës , pa bërë analizen se çfar permbajnë dhe percjellin këto muzeume… të cilat mund t’i vizitojnë çdo i “interesuar”:

Muzeu i qytetit të Podgoricës (Muzej grada Podgorice) ruan trashëgiminë e pasur të Podgoricës. Themeluar në vitin 1950, është i ndarë në katër kategori: arkeologji, etnografi, histori dhe kulturoro-historik. Ruan objekte që datojnë që nga periudha Ilire-Romake

Qendra e kërkimeve arkeologjike (Centar za arheološka istraživanja) u themelua në vitin 1961 Misioni i saj është të mbledhë, klasifikojë, restautojë dhe të shfaqë vendet arkeologjike.

Muzeu i Marko Miljanov (Muzej Marka Miljanova) në Medun tregon jetën në Mal të Zi gjatë gjatë shek.IX. Është muzeu memorial më i rëndësishëm i Malit të Zi…

Muzeu i Historisë Natyrore (Prirodnjački muzej). 22.

Në vënd të epilogut: Podgorica dhe shqiptarët

Me Podgoricen  na “lidhë” historia e autoktonisë mijëra-vjeçare iliro-shqiptare  të këtyre trojeve , dhe e trashigimisë Iliro-Shqiptare të qyteteve dhe  qendrave të zhvilluara e urbanizuara Ilire si Dioklea , Ribnica e Berziminio  mbi të cilat është ndertuar Podgorica e vjeter dhe e re… Me Podgoricën na “lidhin” edhe e një seri ngjarjesh historike në luftën dhe perpjekjet tona për liri , pavarësi e identitet. Këtu unë mendova të kujtoj vetëm dy që më “ngjajnë” si më sinjifikativet , dhe kanë si “mbiemër” Podgoricën. Së pari  Kuvendi i Podgoricës , ku me 1-2 prill 1786 do të shpallej konfederata Ilirike me shumë kufijë etnik . Kara Mahmud Pashë Bushatliu , që sipas Pukvilit  mbahej si pasardhës dhe ndjekës i  gjurmëve të Skenderbeut , dmth si udhëheqës i luftës për çlirimin nga zgjedha turke ,23 , do të mblidhte të gjithë princat shqiptar , të krishterë e muslimanë në Podgoricë , të cilët u betuan bashkërisht  mbi Ungjill e Kuran se do të luftonin deri në vdekje kundër armiqëve të lirisë. Ky ishte një hap i rëndësishëm pasi shqiptarët e krishterë dhe muslimanë po bashkonin forcat kundër turqve. Deshira e tyre për liri i kapercente dallimet fetare. Në atë kuvend historik erdhi një senator ngas Raguza  që të pergëzonte  Mahmudin , kurse Jozefi i II (i Austrisë) i dergoi me cermoni një kryq të madh prej argjendi.24.  Së dyti në vitet e stuhishme 1910 -1911 , në Potgoricen e kohes (edhe pse kjo tashma kishte kaluar nën Malin e Zi) , nga dhuna dhe represioni i  otomaneve  ishin detyruar të strehohen si emigrant , burra e familje nga  më qendrestaret e nacionalistet  e  Shqiperisë veriore e tjer. Në keto kushte të veshtira  Malsoret e strehuar në Mal të Zi , së bashku me  Shkodran ,Shaljan e Shoshjan e më gjerë , krijuan  Komitetin e kryengritjes ,që në histori njihet si Komiteti i Potgorices ,me  Sokol Bacin ,Ded Gjon Lulin ,Gjon Nik Pllucin  ,Gjek Marash Gjeloshin, Nik Gjelosh Lulin ,Tom e Lek Zolin ,Luc Muç Elezin , Kol Marash Vaten ,Nikoll  Sokol Bacin dhe Mehmet Shpendin.  Ndersa nga Shkodra ishin antarë të ketij komiteti : Luigj Gurakuqi , Hil Mosi  etjer, me deget e tij në Viripazar , Tivar , Kotorr  e më gjerë…25.  Në ato kohë kishte shqiptar nga Shkodra që në Podgoricë kishin ende aktivitete  të tyre tregtare , si dhe mejhana siç i quanin atëherë  , ku shpesh patriotët shqiptar i kishin vënë në dispozicion të çeshtjes shqiptare , kryesisht kundër pushtuesit turk… Ndersa  gjatë regjimit të egër komunist në Shqiperi , ne shefitarët malësor me Malin e Zi , na terhiqte disi media malazeze e Podgoricës më liberale  në filma , sport e programe të ndryshme kulturore. Shikimi Televizoreve , por edhe degjimi i radios (atëherë me “mbiemrin e Titogradit) , nuk ishte i lehtë , pasi partia e pushteti komunist  në Shqiperi të denonin po të kapnin duke parë TV-t apo degjuar  radion e Titogradit… Sidoqoftë në fshahtësi keto media janë “frekuantuar” jo pak nga malësorët , veçanarisht edhe në ata minuta që jepeshin në gjuhen shqipe , pavaresisht se ato kishin Brenda edhe prpogandë antikomuniste shqiptare.. Gjithsesi sot mediat e Podgoricës e Malit të zi (publike e private) shikohen e nuk shikohen…

Podgoricës në vitin 1946  iu imponua emri  “Titograd”  (qyteti i Titos) , emërtim (më sakt homonim) që e mori pas ardhjes në pushtet të komunistëve  në Jugosllavi , me në krye Titon. Homonimin Titograd  e mbajti deri në vitin 1992 , kur u zevendësua me toponimin e “vjetër” Podgorica. Sot Podgorica është kryeqyteti i Malit të Zi , që duam apo nuk duam ne historia na e ka lënë perjetësisht fqinjë. Fqinja i mirë thonë se është si vëlla që nuk kerkon hise , në fakt kjo fqinje ka marrë mjaftë “hise”që nuk i takojnë  nga trojet tona etnike , një nga keto “hise” është edhe Podgorica , historinë e së  cilës u mundova ta paraqes “thjeshtë” per të mos harruar se kryeqyteti i sotëm i Malit të Zi ka qenë që në zanafillen e jetës në këto troje,  vetëm Iliro-Shqiptare e kurrë sllave.

Referencat:

1.Vezhgime Iliro-Shqiptare , perpilue prej dr.Ludvig Von Thalloczy , perkthye shqip nga Mustafa  Merlika-Kruja ,fq.112 , Shkodër 2004.

2.Milan Shuflaj ; Qytetet dhe Kështjellat e Shqiperisë , Kryesisht në Mesjetë  , fq,31 , shtepia botuese Onufri , 2009.

3.Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866)  , Konsull Francez në Shkodër , Kalorës i Legjionit të Nderit, Historia dhe pershkrimi  i Shqipërisë së Eperme  ose i Gegërisë , fq.33 , Plejad 2008. 

4.Hecquard , po aty…fq.87-88.

5.Ermanno Armao , Vende , kisha , lumenj , male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore , fq.102-103 , Tiranë: botime Korbi 2006 , sipas botimit  të vitit 1933 në Romë.

6.Hecquard , po aty… fq.88.

7.Hecquard , po aty…fq.88-90.

8.Hecquard , po aty…fq.102. 

9.H.Hecquard , po aty ,fq.328. 

10.Prof. Antionio  Baldacci ; Shqiperia e Madhe , fq.256, shb “Eugen” , Tiranë 2006.

11.Defterin i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres i vitit 1485 , fq.134-135 . Akademia e Shkencave të R.P. të Shqiperisë Paraqitja ,  hyrja , transliterimi , perkthimi dhe komentet nga Selami Pulaha , Tiranë 197).

12.Perparime Huta ; Fshati në Sanxhakun e Shkodrës në shekujt XV-XVI , fq.154-155 , Tiranë 1990.

13.Evlija Çelebiu në Shqiperi dhe në viset  fqinje: Kosovë Mal i Zi , Ohër , në bazë të dorshkrimit  autograf , perg. Nga Robert Elsie , fq.34-36 , shpb “55” , Tiranë 2008.

14.Hequard , po aty…fq.87.

15.Antonio  Baldaçi ; Shqiperia e Madhe , fq.265. 

16.Edith  Durham , Brenga e Ballkanit dhe Vepra të tjera për Shqipërinë e Shqiptarët , fq.318-319.

17.Zavod za statestiku Crn Gore-MONSTAT.

  1. https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.

19.Preloc  Margilaj ; Ilirët flasin Shqip –Shqiptarët flasin Ilirisht , fq.86-87, Podgoricë 2000.

20.Preloc Margilaj , po aty fq.132.

21.Hamdi  Bushati ; Shkodra dhe Motet ,traditë , ngjarje , njerëz ,Vllimi II , fq.309-312 , ”Idromeno”, Shkodër 1999.

22.https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.

23.Universiteti Shtetror i Tiranës , Instituti i histories , Stavri Naçi , Pashalleku i Shkodrës nen sundimin e Bushatlijve , fq.175 , Tiranë 1964.

24.Edwin Jacques , Shqiptarët ,historia e popullit shqiptar nga lashtësia  deri në ditët e sotme , fq.282.

25.Lulash N. Palushaj; Malësia dhe fiset e saj , pjesa e parë ,fq.162-163 , Lezhë 1996

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu